Tuesday 6 December 2011

SHËN-LIBRI DHE LEXUESI


Cili është ndryshimi midis shallvareve dhe veglave? Pyetje absurde, apo jo? Por, le të themi se jemi me fat, sepse, kemi gjetur tashmë një fjali (jo edhe aq mosbesuese) me të cilën po e hapim bisedën tonë. Pa i dhënë kohë pleqërimit të mendimit, një pjesë e instinktit tonë dëshmon se një vegël mund të jetë fare mirë pjesë aktive e trupit (duar, gishta, dhëmbë) ndërkohë që shallvaret mbulojnë një vegje pasive të së tërës, që është për shembull lëkura apo qimet e lëkurës. Lexuesi dosido i librit një gjë nuk ka se si ta shpjerë ndër mend, ose së paku, e fundit gjë që i bie ndër mend, është fakti që shkrimtarët harxhojnë kohën më të madhe përgjatë punës së tyre duke kërkuar baraspeshime të duhura në logjikën e së tërës. Përfshi botën (e brendshme dhe të jashtme, e bukur dhe të shëmtuar), ekzistencë dhe qenie, popuj dhe individë, gjuhë, ngjyra, personazhe, tinguj, stil të shkruari dhe të jetuari, shije frutash dhe vere, kafeje dhe zeheri, tymnajë duhani apo flatrim hashashi, logjikë mishngrënëse apo vegjetariani, etj. Të gjitha këto sipas midesë dhe këndvështrimeve të tyre krahasimore, simbolike, metaforike, alegorike, analogjike, brenda një sistemi me rregulla të qarta në të cilin, vet shkrimtarët funksionojnë qartësisht si paralelizëm. Shkrimtari është si puna e atyre shkallëve lëvizëse në qendrat e mëdha komerciale. Ekuivalent i botës, por, mbi të gjitha i vetvetes në raport me botën në ngjitje, zbritje. Kujdes! Fjala “ekuivalencë” ka një kuptim krejt tjetër në ekonominë e tregut, në bursat dhe sistemet financiare të ditëve tona! Rrjedhimisht edhe mbi masmediat, propagandën, dhe infrastrukturën e gjuhës së tregut. Por, kjo nuk ndodh me shkrimtarin dhe botën e tij. Ai është aty. Ekuivalent. Etalon kokëfortë. Le ta pranojmë si një paralelizëm. I pashqitshim. Por, le t’i kthehemi sërish muhabetit të veglave dhe shallvareve. Plaku im i mirë Borges, diku është shprehur se nga të gjitha veglat e shpikura nga njeriu, libri është padyshim më i habitshmi, më tepër se sa një vegël zgjatuese e trupit të njeriut, ai përbën një zgjatim të kujtesës dhe imagjinatës. Hallall! Gjithmonë më ka pëlqyer vërtetësia analogjike e Borges, megjithëse sot, për hir të së vërtetës, po filloj të ndiej një dridhje të lehtë të gishtave, ndërsa po shkruaj këto rreshta duke zbuluar një kundërshti që nuk përputhet ashtu si e do zakoni me mendimin e plakut tim të mirë. Prej këtu zë fill gërricja ime në vijim. Që libri është një instrument unik në llojin e vet, jam dakord, por, jo me faktin që libri zgjaton një gjë jotrupore. Kujtesa dhe imagjinata nuk lindin në eter! Ato janë funksione neurologjike të sistemit të trupit të njeriut dhe një neuron nuk është as më shumë e as më pak trupor se sa një timpan veshi apo mollëz gishti. A përbën libri me të vërtetë një vegël zgjatuese të njeriut? Po apo jo? Përse mos të mendojmë se mundet të jetë një protezë gojore, një aparat dëgjimi i veshit, një teleskop për të vëzhguar hapësirën ku syri ynë nuk mbërrin, apo pantallona bluxhins (që në këtë rast ka zëvendësuar fjalën e bukur shallvare) që vesh lëkurën dhe qimet e këmbëve? Ndryshimi nuk është edhe aq i rëndomtë po ta shohësh hollë hollë. Njëzëshëm të gjithë e kemi pranuar faktin se mungesa e lexuesit e katandis librin në një objekt të vdekur. Që të ekzistojë, libri nuk ka nevojë që të lexohet, por, të jetë i lexuar. Nga një lexues i mirë, madje! Në realitet, ja cili është fakti që na bënë të mendojmë se libri nuk paska qenë edhe aq objekt banal, në të kundërt, tejet i veçantë kur merr vështrimin e duhur. Sapo e kemi mbyllur, lexuar, dhe më tej larguar nga këndi ynë i shikimit, ai, Shën-libri, kokëfortë si ati i vet, shkrimtari, vazhdon të qëndrojë po aty, duke gërvishtur mendjen tonë. Një sqepar është krejt i pavlefshëm për të ngulur dhe shkulur gozhdë po qe se nuk mbahet fortë nga dora jonë. Libri, në të kundërt, vazhdon të reagojë edhe kur e kemi mbyllur së lexuari, kemi shuar dritën, dhe larguar nga shikimi. Lëçitja ndryshon konfigurimin e neuroneve tona! Copëza teksti gjenden të vendosura në vende të ndryshme të hapësirës universale të trurit tonë. Ato nuk depozitohen aty si pesticide helmatisëse, apo plehra organike, përkundrazi vazhdojnë të funksionojnë në depon e kujtesës dhe imagjinatës njerëzore në varësi të kualitetit të tyre, vazhdimisht, si me qenë fara të vdekura të gatshme për mbjelljet e ardhshme. Por, le t’i biem shkurt, po qe se libri nuk ka forcën e duhur për të reaguar në mënyrë të shëndetshme, atëherë nuk ja vlen për asgjë, është i padobishëm. Libri i vërtetë është më i fortë se dhëmbët apo proteza e dhëmbëve. Shën-Libri i përngjan një hambari me farëra të shumëllojshme që shumëfishon jetën dhe ekzistencën e jetës duke u mbjellë pik së pari në mendjen e lexuesit që si ai nikoqiri i mirë ja di vlerën dhe kësmetin. Bash mu në neuronet e atij që e përdor dhe di ta përdorë si duhet librin, më mirë se një vegël, dhëmbë apo protezë, libri gllabëron neuronet e lexuesit duke u bërë pjesë e pandashme e tij, libri shndërrohet në lexues duke na kujtuar përrallën e cironkës (gojëdhënë prej peshkatarëve të Poradecit, që e kam të depozituar si puna e atyre farave në trurin tim, riprodhuar këto ditë të ftohta dhjetori, ku gjithëshka fillon e ngrinë dhe toka fle e qetë nën ngricë, tekstualisht;)

E kapën në rrjetë cironkën e vogël. Nga rrjeta cironka i fliste nënës së saj:
“O nënë, më kapën moj nënë!”
“S’ka gjë birk e nënës, ky paska qenë fati ynë, s’ka gjë!”
“O nënë, më kanë futur në një vend që quhet kuzhinë, moj nënë!”
E di biri nënës, aty qëruan me thikë edhe time ëmë!”
“Oh moj nënë, po m’i qërojnë luspat, moj nënë, po më zhveshin!”
“Turpi dhe nderi për ne janë bërë, birk e nënës ti!”
“Oh, po më skuqin në vaj të nxehtë, nënë!”
“Nuk është vaji i përskuqur i Ferrit, përvoja jetësore është më përvëlonjëse, ylli im!”
“Po më kullufisin humnerave të gojëdherave, në..në!”
“Duro biri im!”
“Po më shuajnë me verë, me verë verëmirë, nënë!”
Ah! Tashti mbarove, more fund bir!”


Sqepari shërben për të ndërtuar apo shkatërruar një ndërtesë, hambar, kasolle, vatër, shtëpi, kulturë, a traditë. Sytë, dylbitë teleskopi, janë vegla për të vështruar botën dhe hapësirat e saj të pashtershme. Luga dhe dora për t’i dhënë njeriut jo vetëm ushqim, jetë, vazhdimësi, por edhe për ta kënaqur veglën e shijes, gjuhën, me shijen e më të mirave fruta. Libri është i fatëzuar për të kërkuar dhe gjetur lexuesin. Për të qenë shërbyes i tij i shenjtë. Për ta mbyllur me kaq, po i rikthehem kokulur sërish plakut tim të mirë, Borgesit. Njëherë ai shpjegon se, fatkeqësisht verbërisë së tij, vazhdon të blejë libra, të mbushë raftet e bibliotekës së tij, përfundimisht duke vazhduar “të luaj sikur të mos ishte i verbër”. Gjer më sot nuk njoh ndonjë përcaktim më të saktë dedikuar një lexuesi. Po ti?

Dhjetor 2011

Thursday 1 December 2011

PETRIT NIKA - Atdheu dhe poeti në poezinë e Flurans Ilias



1.

Në peisazhin e letërsisë shqipe të pas viteve “90, konturohet edhe një emër me një personalitet letrar krejt të veçantë, lirik deri në qelizë, këmbëngulës deri në sakrifikim. Ky është Flurans Ilia, ose ndryshe Flurka, siç e quajmë rëndom midis nesh në rrethe letrare, me pseudonimin e tij të fëmijërisë, fillimeve poetike dhe ... të mërgimit. Duke qenë se është i larguar që nga fillimvitet “90 në mërgimin e tij, për Fluransin mund të them se ndoshta ky është shkaku i vetëm i “mospranisë” së tij fizike dhe deri diku edhe letrare për lexuesin shqiptar. Ecejakeve të këtij krijuesi nëpër hapësirën ndërkontinentale në kërkim të atdheut i shkon për shtat ajo thënia e Saint John Perse për Danten; “Nga marshimet e mërgimit, ai qeveris një vetmi më të populluar se çdo tokë perandorie.” I larguar nga Shqipëria, larg në Montreal prej gati dy dekadash, mbresa e mungesës së atdheut ndihet shqimit në poezinë e këtij poeti. Mërgimi, përveç ekzotikës së shkëlqimit të mrekullive që ka krijuar njerëzimi ndër shekuj, apo vetë natyra, kur të bie t’u biesh kryq e tërthor Evropës dhe Amerikës, padyshim i rezervon mërgimtarit shtegtar edhe ndjesinë e një zbrazëtie të cilën s’ka gjë në botë që ta mbushë; - mungesën e vendlindjes, ahtimin dhe paqen e diellit dhe qiellit të kaltër që bën të buzëqeshin malet e ashpra shqiptare dhe lumenjtë e rrëmbyeshëm alpine që gurgullojnë nëpër damarët e tyre.
Tek eseja “Lundërtarë pa atdhe, atdhe pa lundërtarë”, duke cituar Kavabadën, Fluransi thotë: "Më duket se nuk jam unë ai që di të lundrojë nëpër botë; por është bota ajo që më bën të lundroj". Dhe shton; “Qytetet, ashtu si detet, e mbështjellin veprën dhe jetën e shkrimtarit me rrymat e erërave që ndesh ndër to. Dhe sa më shumë jam endur gjinjve të tyre, aq më e tendosur bëhej vela, që e shtynte anijen e pavetëdijes sime krijuese, drejt rrugës së vetëdijshme në letërsi.” Migrimi i tij është njëfarësoj i dyfishtë; mërgimi në vend të huaj larg atdheut, ose mërgimi fizik dhe mërgimi në letërsi ose vetëprivimi nga dhënia pas ëndjeve tokësore që e englendisin kurmin njerëzor aq të djegur për qejfe e zdërhallje. Hija e këtij fati prej njeriu kalimtar në hapësirat ekzotike dhe danteske të mërgimit zbret madje deri në vargjet e poezisë së tij. “Venecia i përket mëngjesit të ditës/ Të shtrydhur në një filxhan kafe…/ (…)/ Tek Shën Marku (me një kafe në duar)/ Një gondola mundet të jetë një poezi/ Por, unë kalimtar jam këtu,/ Për rrugë/ Duke mërguar.” (Kalimthi në Venecia)
Sikurse Granit Zela, Flurka është nga ata të paktë poetë të brezit të ri, post “90 që amsimin e atdheut e ndjejnë dhe e përcjellin në varg. I pari, Zela atdheun e ndjen me keqardhjen e kaosit social ku e kanë kredhur njerëzit e papërgjegjshëm, ndërsa i dyti, Flurka atdheun e ndjen si dimension malli në mungesë, i shikon hallet e njerëzve të tij, provon t’i qaset, por në fund e kupton pamundësinë dhe shprehet në pasthirrma therëse ndaj unit: “O Kalorës Fantazmagorik!/ O Lunatik i Veçuar! Ç’kërkon ti në këtë gosti peshkaqenësh/ (…)/ si një Kostandin për kushedi se ku,/ përsëri i rimërguar.” (Lëvozhga e fjalës). Është vërtetë e dhimbshme, por kjo pasthirrmë shpreh pamundësinë e intelektualit shqiptar për të ndryshuar realitetin social prezent në vendin e tij, pamundësinë për të marrë në dorë timonin e asaj lokomotive që do ta çojë atdheun drejt zhvillimit, për ta bërë më të paqtë, më të begatë, më të ndërgjegjshëm, më të jetueshëm. Poeti ndjen pezmin therës të të qenit i tepërt. Në një realitet të tillë ai në fakt është i tepërt. Poetin e kanë “përzënë nga polisi”. Që në rini, atij (Flurkës) i mohuan të drejtën e studimit, mundësinë e integrimit në jetë dhe në artin e tij, duke ia diktuar udhët e botës, duke e shndërruar njëfarësoj në një “lundërtar pa atdhe”. Doktrina e shtegtimit odisean është po aq e lashtë sa vetë kultura evropiane. Edhe shqetësimi i të qenit “lundërtar pa atdhe” është po aq i lashtë. Në shumë nga krijimet e Fluransit e ndjen këtë sentiment, herë si shqetësim nga të panjohurat, herë si adhurim i mrekullive që shikon syri në vende të largëta të rruzullit, dhe më shpesh edhe më qartë si mall për atdheun që e ndjen nëpër një kohnajë të dubluar mes së tashmes e të shkuarës dhe përmes një tymtaje pluhuri iluzor në mungesë.


2.

Flurans Ilia prezantohet me vetëdijen e funksionimit të dyzuar të botës dhe elementëve të botës që përbëjnë shpirtin e saj, vetë ekzistencën. Njëra prirje është ajo që deklarohet si modeli i së mirës prej mijëra vjetësh përmes kodeve të institucionalizuara, dhe prirja tjetër është e kundërta, pamja krejt e kundërt, shijimi e rrjedhës mbrapsht. Poeti kupton thelbin an-atman* të botës, ku çdo gjë është e papërkryer, çdo gjë është në lëvizje dhe në përkohshmëri të paqëndrueshme. E duke qenë i bindur se tashmë licentia poetica** është në favor të tij, provon rrjedhën e kundërt të gjërave, atë paradoksalen, të papajtueshmen me kodin e ligjërimit normal. Ky është një fenomen tipik i këtij autori, fenomen të cilin e ndeshim dendur në poezinë e tij.
“Kjo lule qëndronte/ Në një vazo/ E cila mbahej/ Në tri këmbë./ Kërcelli i lules/ Lëshoi tri degë./ Degët u varën/ Drejt tri këmbëve.” (Kurorëzim, 1992) Kjo është motoja avanguardiste e fillimeve poetike të brezit të pas “90-ës, shmangia nga ligjerimi poetik tradicional, madje dhe nga thelbi ideor dhe imazhet tekstore të traditës, por poezia e cituar nuk është eklektike dhe jashtë vëmendjes artistike siç mund të mendohet. Janë tetë vargje, ku në secilin varg pothuaj bëhet fjalë për treshin dhe secili varg ndërkohë përbëhet nga tre njësi leksikore. Si në legjendat shqiptare. Ishin në Lugjet e Verdha tri Zana të hidhta! Ato kishin tri dhi. Por tashmë ka trokitur një epokë që e shikon me ironi gjithë këtë legjendarizëm rural dhe fantastik të shekujve të shkuar. Tani tri zanat janë tri lulet. Tri dhitë që ushqenin forcën e zanave janë tri këmbët.
Në disa poezi të tjera Flurka e nis ligjërimin duke ia përshtatur një stili rrëfimor epik sipas modelit homerik. “Pasi shishet e shtrenjta të verërave u pinë/ U pinë të shtrenjtat shishe të verërave, pasi/ U grisën fjalitë e stërzgjatura/ Kapota e vjetër zhele u bë, ndërkaq.” (Lëvozhga e fjalës) Ky lloj ligjërimi është bashkëbisedor, por për të humbur gjurmët e adresimit vetor është zgjedhur diateza jokalimtare, kinse uni poetik dhe (hipotetikisht) vetjet e pranishme janë marrë vesh të mos e bëjnë me dije pjesmarrjen e tyre në këtë sfond disi surrealist dhe hedonist, duke i lënë derën të hapur edhe vetë receptuesit të mendojë se ka qenë pikërisht ai aty dhe tashmë i mbetet të rindërtojë skenën përmes tisit të imagjinatës apo të kujtimeve.
Po në të njëjtën poezi, pas disa vargjesh Flurka kalon gradualisht nga “trilli poetik” i rrëfimit epik homerik në një përsiatje të pakapshme poetike, në imazhe që njëtrajtësojnë me shenja dhe identitete diversive, tabllonë surrealiste që ndërtohet spontanisht nga sytë e shpirtit, me copëza të materies rrethuese. Pas endjes nëpër imazhe të realiteteve materiale (të para dhe përjetuara nga poeti në udhëtimet e tij), janë dhe imazhet e realiteteve artistike (të përftuara si përvoja leximore etj.) të cilat krijojnë një mozaik imazhesh që provokojnë zotësinë e kujtesës së receptuesit për të risistemuar leksemat në funksionet semantike fillestare dhe pastaj për t’i ripozicionuar në lidhjen e re artistike, ku janë caktuar nga poeti. “Sy-/ arratisur nga «Guernika»/ shtresojnë/ portretet/ tona/ impotente/ materializuar/ mbi parmak./ Copëza yjesh që ndizen dhe shuhen/ fishekzjarr mbi buzën e mbetur pa gjak.” Guernika buis këtu nga historia e saj tragjike e vitit 1937 kur u bombardua nga gjermanët, nga piktura kubiste e Pablo Pikasosë, apo nga të dyja bashkë? Sytë e arratisur nga Guernika mendoj se janë një rindërtim i imazhit të asaj skene tragjike përmes një neokubizmi të ri artistik, kësaj radhe në letërsi. Thelbi ngelet tablloja e piktorit të famshëm, si ngasje dhe joshje drejt një arti modern elitar. Sidoqoftë, paradigma e Guernikës ngelet paradigma e artit me zanafillë në dhimbje të thellë njerëzore. Epistemologjia e poezisë së Flurans Ilias paraqet një trajtësim stilistik të hershëm, të derdhur me linja të qarta, të buta, me pikëzime tropesh pothuajse të një gjuhe ende komunikuese, me prirje evokuese të raporteve të sendeve në pluralitetin e tyre në një dritë “lunatizmi arketip”, ku uni nuk është më soditës i këtij peisazhi të mbingarkuar me qenie dhe imazhe që gëlojnë në hapësirë dhe në kohë duke zbrazur kur e kur një zemërim pa trajtë, një revoltë pa adresë dhe sidomos pa lëndë, por është pjesëmarrës dhe përjetues i plotëvetëdijshëm në sfidën e qenësimit.
Mbi të gjitha në poezinë e Flurkës pahitet gjithandej një tis i lehtë malli për mungesat e pakompensueshme, për pamundësinë e një stabiliteti të qëndrueshëm në raportet njeri-materie-kohë-hapësirë. “Shtëpia ime si portokall/ e varur në erë i bën shenja jetës/ përtej oqeanit/ ku një zjarr i ndezur/ prej vitesh ka ngelur.” (Në South Orange) Përkufizimi konceptual i këtij imazhi është vendlindja, por duke i kundërvënë sentimentalizmit pohimin e jetës, lojën e pulsimeve deri në stigmatizim, Flurka ironizon edhe ndjenjën që e mundon, pra ndjenjën e mallit për vendlindjen duke materializuar arsyen e kësaj dashurie, përkthyer në gjuhën e logjikës ekzistenciale. “Dashuri e dikurshme me to(oh)llona,/ si askund/ da(ah)shuri e dikurshme e rreshtuar në radhën/ e kosit …/ Për një kile djathë,/ një pako gjalpë,/ një kile mish,/ nga trupi i dikurshëm i Dashurisë.” (Lëvozhga e Fjalës) Poeti Flurans Ilia që nga apogjeu i largët në hapësirat e pamata të vetmisë së tij dhe lirisë, përtej detesh e oqeanesh, koordinatash e meridianesh ajgëton aurën e artit të tij, diagrama e të cilit skicon qartë përmasat e vërteta të poetit dhe të atdheut, të para veç e veç dhe të marra sëbashku në një, të shkrira në një imazh mjegullor pointilist ku gjithësesi ende lexohen si në pëllëmbë të dorës dhimbja, malli, pezmi, dyzimi i personalitetit, kriza ekzistenciale dhe mahnitja eternale, ekzorcizmi mistik dhe ekzotizmi kozmik, duke e pasuruar kështu varg pas vargu fizionominë e poezisë së tij me një tabllo poetike, mbresëlënëse dhe unike në origjinalitetin e vet. Për herë të dytë e përsëris fjalën “ende” në këtë tekst lidhur me pritshmërinë e gjuhës poetike të Flurkës, ngase duke parë nganjëherë prirjen drejt një vargu hermetik tek ky autor, nuk mund të jemi të sigurtë nëse nesër nuk do jetë dhe ai një praktikues i kësaj gjuhe artistike.

Nëntor 2011
______________
*Atman (hind.) - shpirti i botës, pronari i gjithçkaje. An-atman, dmth., jo atman
** licentia poetica (lat.) - liria poetike