Tuesday 15 November 2011

GRANIT ZELA - Koha punon për ata që punojnë


Shkrimtarët e territ


1.
Përgjegjësinë e shkrimtarëve e ka përshkruar shumë bukur Lumo Skëndo në një ese, ku u drejtohet atyre. Sipas Skëndos, ”Më parë se çdo gjë, (shkrimtari) ka një detyrë dhe përgjegjësi kundrejt vetes së tij dhe ajo është që të përpiqet të fitojë për veten e tij diturinë e nevojshme, karakterin serioz dhe të matur, urtësinë dhe patriotizmin.” Sipas Skëndos, ngjallja e shumë kombeve ka nisur me frymën e poetëve dhe kjo sepse ”forca që i jep shpirtit pushtetin moral, fryma e ardhur prej letërsisë i kundërqëndron çdo sulmi, edhe në qoftë se fati e poshtërson ndonjëherë, prap rri e gjallë e rilind nga hiri i saj”.
Dhe ato që kanë shkruar shkrimtarët shqiptar dhjetëvjeçarë më parë, janë aktuale jo vetëm sa i përket përgjegjësisë së shkrimtarëve, por fatkeqësisht edhe për gjendjen e shoqërisë shqiptare. Them fatkeqësisht sepse të dhemb, kur sheh se sa aktual është Fan Noli sot kur lexon se si ka shkruar për anarkinë fetare, morale, patritotike dhe të idealeve në shoqërinë shqiptare. Po kështu, Çajupi i cili thotë se ” Tani disa vjet kemi rënë tepër pas politikës. Politika! Fort mirë. Por na duhet dhe letratura për zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë me ëndërra.” Aktual ëshë sot edhe Branko Merxhani, kur kërkon organizimin e kaosit të shoqërisë shqiptare apo Krist Maloki, i cili pasi dëften se lindori shqiptar ka zaptuar të gjitha institucionet e shtetit, bën thirrje për lartësi morale, duke thënë se ”Heroizëm s’kërkohet prej askujt, porse lartësia morale e një perëndimori matet me gradën e një vetëmohimi e vetëflijimi rreth një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma.”

2.
Shkrimtarët jo vetëm nuk vlerësohen, por shpërfillen. Kini parasysh vetëm këtë fakt: Në vitin 1997, kur poeti shqiptar në ekzil Gëzim Hajdari mori çmimin prestigjioz ndërkombëtar ”Montale” për poezinë e pabotuar, këshilli bashkiak i Frosines, një qytezë mes Romës e Napolit ku poeti pasi kishte emigruar në fillim pat jetuar në një ndërtesë të braktisur, i ofroi një apartament. Kjo përbën një shembull të shkëlqyeshëm dallimi mes një mendësie perëdimore të qasjes ndaj shkrimtarëve të një vendi perëndimor dhe mendësisë orientale të shoqërisë sonë, e cila po i lë në mjerim shkrimtarët shqiptarë.
Shkrimtari shqiptar i këtyre kohëve është si Sokrati i Athinës së lashtë, që shoqëria e ka shenjuar si plangprishës dhe Shteti e ka dendur me helmin e nënçmimit. Kjo sepse, sikurse në Athinën e kohës së gëlimit të të këqijave dhe veseve, ai që flet për kulturën e virtytin, degdiset në zgripin e mbijetesës. Gjergj Fishtës ia hodhën eshtrat në Drin, e për këtë mund të fajësohet një tirani, por granatën e flakur ndaj monumentit të Gjergj Fishtës para pak vitesh, nuk ka ligj që ta përligj e as arsye që ta pranojë.
Nuk ka arsye që ta pranojë as përbaltjen e shkrimtarëve shqiptarë gjatë këtyre viteve me fushata të përmuajshme sulmesh, shpifjesh, thashethemesh, trillimesh fantazmagorike ndaj këtyre sokratëve të vuajtur, që duhet të durojnë gjithëpushtetin e derrave të kënaqur që kanë zaptuar hapësirën e lirisë. Qëndrimi që ka mbajtur Shteti dhe kjo shoqëri ndaj shkrimtarëve është përçmues. Stereotipi i përceptimit masiv të një shkrimtari nga shoqëria sot është ose ai i një të marri, që ecën me kokë në re, ose i një gjynahqari të papunë.
A e dinë padronët e kulturës nëse shkrimtarët e antologjisë së letërsisë shqipe, krijuesit e veprave të përjetshme që formësojnë ndëgjegjet e brezave, janë ende gjallë dhe si jetojnë? Sa për kujtesë, po u themi se Trebeshina, për shembull, ndiehet i huaj në këtë vend, i tëhuajtur, si i dënuar me vdekje. Aq i madh është pikëllimi trebeshinian, sa ka “hequr dorë”
nga të qenit shkrimtar shqiptar, çka për momentin nënkupton të qenit i shpërfillur dhe i përçmuar. E pse të mos botojë Shteti dhe shoqëria një pjesë nga 100 veprat e pabotuara të këtij shkrimtari, por ta përdor kënaqësinë e të jetuarit në ishullin e banalitetit si maskë dhe alibi, për të fshehur pamundësinë e një vizioni që sheh përtej të përkohshmes prej konsumatori, në të përhershmen e të përjetshmen?!
Investim i përkohshëm nga shteti është organizimi i festave për rininë që të dëfrejë. Investim i përhershëm është krijimi i sallave publike të leximit, ku të rinjtë që duan të studiojnë, mund të ulen e të selitin mendjen. Investim i përhershëm është shndërrimi i bibliotekave kioskë të këtyre universiteteve në biblioteka të pasura, të cilat plotësojnë nevojat e studentëve më së paku me librat që janë në programet mësimore, siç ua ka hije universiteteve të Europës.
E përhershmja qëndron tek magjepsja pas leximit, që të jep “fuqinë e argumentit, pasurinë e imazheve, dhuntinë e krahasimit, hir, lehtësi në të shprehur ose në të imagjinuar, mençuri, kontraste të befasishme, lakonizëm, thjeshtësi”. Predikimi i shenjtërisë së librit, nuk do të lejonte kurrë që në këtë vend të ishin djegur bibliotekat, sikurse ka ndodhur. Shenjtërimi dhe jo përdhosja e tij. Sepse burgosja intelektuale e rinisë në libra të dobët, vetëm e largon prej tij. Edhe arroganca e shpërfillja shtetërore e shoqërore ndaj shkrimtarëve, vetëm sa i ysht armiqtë e librit.
3.
Në letërsinë shqipe rëndom përmendet brezi i letrarëve të vitit 30-të, 60-të dhe 90-të të shekullit të kaluar, si vite të manifestimit të një fryme të re, që e ka e ripërtrirë letërsinë me konceptim tjetërndryshe e gjak të ri gjuhe në rrembat e saj. Si duket, një herë në tridhjetë vjet, letërsia shqipe ka siguruar mekanizmin e ripërtëritjes, për të qenë sërish e gjallë, me lëngun jetësor të artit që merr fuqi nga stihia e gjuhës shqipe dhe talenteve që shpërthejnë për të përmbysur klishetë e neveritshme që krijon koha.
Koha ecën pandalshëm dhe në njëfarë mënyre procesi letrar riformatohet vit pas viti. Gjatë kësaj kohe, dalëngadalë, është krijuar edhe një brez tjetër letrarësh, si ai rrethi në trungun e lisit, brez që nuk mund të thuhet se i përket atij të vitit 90-të, pasi librat e parë i ka botuar rreth vitit 2000 dhe, meqë jo pak herë është quajtur me të drejtë “underground generation”, propozoj t’i quajmë shqip “shkrimtarë të territ”. Janë shkrimtarë të territ, sepse janë larg vëmendjes së kritikës, e cila kemi shpresë që ndonjë ditë të ngjallet së vdekurish. Janë larg vëmendjes së shoqërisë, institucioneve të kulturës, të cilat vetëm me kulturë nuk merren, përderisa nëpunësit tyre nuk kanë aq kulturë sa të përkrahin një brez të ri letrarësh. Mbi të gjitha, ky brez shkrimtarësh terri është larg lexuesit në kuptimin klasik, pasi është i privuar nga të gjitha sa përmenda më sipër.
4.
Sa për fillim, si shkrimtarë të territ propozoj këto emra: Astrit Cani, Majlinda Bashllari, Almona Bajrami, Indrit Sinanaj, Lindita Komani, Norel Zaimi, Sidorela Risto, Alisa Velaj, Ardian Saliaj, Lorena Kadzadej, Rudina Madani, Ardiana Shala Prishtina, Ermira Rista, Dorian Kulla, Ardita Jatru, Arlind Farizi.
Themi sa për fillim, sepse lista e emrave gjithmonë është e papërfunduar, sikurse lista e veprave, sikurse vetë letërsia që nuk pëfundon kurrë. Këtu mund të hyjnë edhe ata shkrimtarë, të cilët nuk janë identifikuar plotësisht me brezin e shkrimtarëve të viteve 90-të, pasi janë vetmitarë prej natyre, ndër ta Petrit Nika, Flurans Ilia e të tjerë, që shkruajnë në një zonë të ndërmjetme, mes qiellit e tokës. Por këta emra mund të shërbejnë fare mire si busull orientuese për ata që duan të dinë se çfarë po ndodh në procesin e sotëm letrar. Karakteristikë e këtij brezi është shpërndarja gjeografike nëpër shtete të ndryshme ku studiojnë, kanë mbaruar studimet ose jetojnë. Duke përthithur një kulturë europiane letrare, ky brez realizon vijueshmërinë e kohës së re estetike në letrat shqipe.
Janë shkrimtarë të territ, për shkak të mungesës së organeve të mirëfillta letrare e kulturore, ku të mundësohej nyjëtimi i këngës së re të këtij brezi. Jeta e çorganizuar letrare, pamundësia e debatit kulturor në bashkësinë e shkrimtarëve për atë çka na shqetëson ne sot, është e frikshme për kaosin që shkakton, e dhimbshme për pasojat që lë pas, dhe e papranueshme për një kryeqytet normal të një vendi europian. Kësisoj, librat e shkruar nga shkrimtarët e rinj shqiptarë, në njëfarë mënyre, sot janë libra të shkruar në terr, për vetveten dhe një lexues imagjinar, me atë idealizëm e magjepsje që të ngjall dashuria për fjalën e shkruar dhe kulturën shqipe. Shkrimtarët e territ janë të izoluar në një botë kaotike letrare, ku hapësira e ekzistencës zaptohet me mjete jashtëletrare.
Shkrimtarët e kapërcyellit të shekullit, sidoqoftë, do ta këndojnë këngën e tyre, ani pse në shkretërirën materialiste të këtij realiteti armiqësor e agresiv nuk ka vend për ta. Koha punon për ata që punojnë. Zaret ka kohë që sërishmi janë hedhur. Hapni sytë e shihni, o të verbër!

No comments:

Post a Comment